Hadithet e ngjashme me hadithin 610

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

371. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Uleje, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në Betejën e Hajberit namazin e sabahut e falën së bashku me Pejgamberin ﷺ në fillim të agimit. Pejgamberi ﷺ hipi mbi kafshë, e po ashtu hipi edhe Ebu Talhai, kurse unë isha mbrapa Ebu Talhait. Pejgamberi ﷺ shpejtoi (me kafshën e tij) drejt një rruge të ngushtë nëpërmjet rrugicave të Hajberit, saqë gjuri im prekte kofshën e tij. Ai e zbuloi kofshën e vet, madje mund t'i shihja bardhësinë e kofshës së Pejgamberit ﷺ. Pasi hyri në fshat, thirri tri herë: “Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”

Kur populli doli për punët e tyre (dhe e panë ushtrinë), filluan të thërrasin: “Muhamedi!” Abdulazizi ka thënë: “Disa transmetues kanë shtuar: “Me ushtri!” Pra, e çliruam me luftë.

I mblodhëm robërit, kurse Dihjai tha: “O i Dërguari i Allahut! Më jep një robëreshë!”

Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko merr një.” Kështu, ai e mori Safije bint Hujejin. Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Dihjait ia ke dhënë Safije bint Hujejin, zonjën e fisit kurejdha dhe nadir? Atë nuk e meriton askush përveç teje.”

Pejgamberi ﷺ tha: “Thirrini të dy.”

Dihjai erdhi me Safijen, kurse Pejgamberi ﷺ e shikoi e tha: Merr një robëreshë tjetër.

Pejgamberi ﷺ e liroi Safijen dhe u martua me të.

Thabiti (transmetuesi pas Enesit) e pyeti: “O Ebu Hamza! Çfarë i dha për mehër?” Ai tha: “(Ajo qe vetë mehri për) veten e saj. E liroi dhe u martua me të.” Gjatë rrugës, Umu Sulejmi e përgatiti dhe ia dorëzoi në mbrëmje. Pejgamberi ﷺ u bë dhëndër e tha: “Ai që ka diçka (ushqim), le ta sjellë.” I shtruan ca bohçe dhe disa sollën hurma, disa të tjerë gjalpë. (Abdulazizi ka thënë: Enesi) më duket se e ka përmedur edhe qullin. Me to përgatitën një kombinim ushqimesh dhe me këtë u kremtua martesa e Pejgamberit ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 371

Fjalë të panjohura?

947. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Abdulaziz ibn Suhejbi dhe Thabit Bunaniu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin e sabahut në fillim të agimit, pastaj hipi (në kafshën e tij) dhe tha: “Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”

Kur populli dolën nëpër rrugë, filluan të thërrasin: “Muhamedi me ushtri!”

I Dërguari i Allahut ﷺ triumfoi dhe i vrau luftëtarët, kurse të dobëtit (gratë, fëmijët, pleqtë, robërit etj.) i zuri robër.

Në fillim, Safijën e mori Dihje Kelbiu, pastaj e mori i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili u martua me të dhe, për mehër, ia dhuroi lirinë (nga robëria).

Abdulazizi e pyeti Thabitin:

- O Ebu Muhamed, a ti e ke pyetur Enes ibn Malikun se çfarë i kishte dhënë për mehër (dhuratë martesore)?

- Për mehër ia dhuroi lirinë, - tha ai dhe buzëqeshi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 947

Fjalë të panjohura?

610. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ donte të luftonte ndonjë popull, priste deri në mëngjes dhe vrojtonte. Nëse e dëgjonte ezanin, ndalej, e, nëse nuk e dëgjonte ezanin, i sulmonte.

Kur arritëm në Hajber, ishte natë. Kur agoi, Pejgamberi ﷺ nuk dëgjoi ezanin, andaj hipi në kafshën e tij. Unë hipa mbrapa Ebu Talhait, e këmba ime e prekte këmbën e Pejgamberit ﷺ. Banorët e Hajberit na dolën me mjetet e tyre të punës dhe, kur e panë Pejgamberin ﷺ, filluan të thërrasin: “Muhamedi, betohemi në Allahun! Muhamedi me ushtri.”

Kur i Dërguari i Allahut ﷺ i pa kështu, tha: “Allahu ekber! Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 610

Fjalë të panjohura?