Sahihu i Buhariut — Hadithi 64

7. Nënkapitulli: Çka përmendet për metodën e njohur të transmetimit të haditheve të quajtur Munavele dhe Përcjellja e diturisë mes dijetarëve të vendeve të ndryshme nëpërmjet letërkëmbimit

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) ka thënë: "Othmani i ka shumëzuar mus’hafet dhe i ka dërguar nëpër vende të ndryshme." Këtë veprim Abdullah ibn Omeri, Jahja ibn Seidi dhe Maliku e kanë konsideruar të lejuar. Disa dijetarë të Hixhazit, për vlefshmërinë e përcjelljes së diturisë nëpërmjet metodës el munavele, janë argumentuar me veprimin e Pejgamberit ﷺ kur i shkroi (i dha me vete) komandantit të çetës një letër dhe i tha: "Mos e lexo derisa të arrish në filan vendin." Kur arriti te vendi i përcaktuar, ua lexoi njerëzve dhe i lajmëroi për urdhrin e Pejgamberit ﷺ."

64. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ nëpërmjet dikujt i dërgoi një letër mbretit të Bahrejnit, i cili ia përcolli Kisrait (perandorit të persëve), i cili, me ta lexuar, e grisi copë-copë. Transmetuesi thotë: “Kujtoj që Ibn Musejebi ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ atëherë u lut kundër tyre, që edhe ata të bëheshin copë e grimë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 64

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?