Sahihu i Buhariut — Hadithi 667
40. Nënkapitulli: Lehtësimet për t'u falur në shtëpi në rast të shiut ose të ndonjë arsyeje të ngjashme
667. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Mahmud ibn Rebi Ensariu se Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i printe popullit të vet në namaz, ndonëse ishte i verbër. Andaj, të Dërguarit të Allahut ﷺ i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ndonjëherë nata është shumë e errët dhe ka vërshime, ndërsa unë jam i verbër, a mund të vish e të falesh në shtëpinë time, që më pas unë të mund ta shfrytëzoj për vendfalje?” Kur i Dërguari i Allahut ﷺ vajti, e pyeti:
- “Ku dëshiron të falem?”
Ai e drejtoi te një pjesë e shtëpisë, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ u fal.