Hadithet e ngjashme me hadithin 667
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
686. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Muadh ibn Esedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Mahmud ibn Rabiu se Itban ibn Malik Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Erdhi Pejgamberi ﷺ, kërkoi leje për të hyrë dhe unë e pranova brenda. Më tha: “Në cilën pjesë të shtëpisë dëshiron të falem?” Unë e drejtova për te vendi që dëshiroja dhe filloi të falej. Ne u renditëm pas tij (për t'u falur) dhe, pasi dha selam, dhamë edhe ne.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 686
Fjalë të panjohura?
1186. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Mahmudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Itban ibn Malikun, i cili kishte marrë pjesë në Luftën e Bedrit së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ, duke rrëfyer: “Ua falja namazin popullit tim, beni salimëve. Në mes meje dhe tyre ishte një luginë dhe, kur binte shi (vërshonte uji), më vështirësohej rruga për në xhami.” Kështu, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Unë e kam shikimin të dobët e, kur bie shi, uji vërshon në luginën që gjendet mes meje dhe popullit tim, kështu që e kam të vështirë ta përshkoj. Prandaj, kam dëshirë, o i Dërguari i Allahut, të vish tek unë e të falesh në shtëpinë time, që ta shfrytëzoj si vendfalje. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Do të vij.”
Në mesditë, Pejgamberi ﷺ erdhi së bashku me Ebu Bekrin. Pejgamberi ﷺ kërkoi leje për të hyrë, andaj unë i dhashë leje. Me të hyrë në shtëpi, ende pa u ulur, pyeti: “Në cilën pjesë të shtëpisë dëshiron të falem?” I bëra me shenjë drejt një pjese të shtëpisë, ku dëshiroja të falesha. Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe e shqiptoi tekbirin për t'u falur, ndërsa ne u rreshtuam mbrapa tij. I fali dy rekate e dha selam, ashtu vepruam edhe ne, dhamë selam pas tij. Pastaj e ndala për një ushqim me mish, gatuar enkas për të.
Burrat e lagjes dëgjuan se i Dërguari i Allahut ﷺ gjendej në shtëpinë time, andaj disa prej tyre erdhën dhe u grumbulluan në shtëpi.
Njëri prej tyre tha:
- Ku është Maliku (Ibn Duhajshini)? Nuk po e shoh.
- Ai është hipokrit, nuk e do as Allahun, as të Dërguarin e Tij, - tha një tjetër.
- “Mos fol ashtu! A nuk e dini se ai thotë: “La ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën synon kënaqësinë e Allahut?” - u tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Allahu dhe Pejgamberi e dinë më së miri, porse betohem në Allahun se, sa herë e shohim, shoqërohet dhe bisedon me hipokritët, - tha burri në fjalë.
- “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit (ta djegë) atë që thotë “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën kërkon kënaqësinë e Allahut”, - u tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Mahmudi vazhdon: “Këtë gjë ua tregova disave, në mesin e të cilëve ishte edhe Ebu Ejubi, shoku i të Dërguarit të Allahut ﷺ, që ka vdekur në ekspeditë (në rrethimin e Stambollit). Udhëheqës e kishin Jezid ibn Muaviun. Ebu Ejubi e kontestoi atë që tregova dhe tha: “Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka thënë këtë që e thua ti!” Kjo më shqetësoi shumë, andaj u zotova në Allahun se, nëse do të kthehesha prej kësaj beteje dhe nëse do ta gjeja Itban ibn Malikun gjallë në xhaminë e popullit të tij, do ta pyesja për këtë. Kur u ktheva, udhëtova për haxh ose umre, derisa arrita në Medinë. Shkova te benu salimët, ku e takova Itbanin, i cili ishte plak dhe i verbër, duke i prirë popullit të vet në namaz. Kur e përfundoi namazin, e përshëndeta e i tregova kush isha dhe e pyeta për këtë hadith, e në atë rast ma tregoi (hadithin) sikurse herën e parë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1186
Fjalë të panjohura?
424. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Mahmud ibn Rebiu se Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i shkoi për vizitë në shtëpinë e tij dhe i tha: “Në cilën pjesë të shtëpisë dëshiron të falem?” I bëra me shenjë për te një vend. Kështu, mori tekbirin dhe i fali dy rekate, kurse ne qemë të rreshtuar mbrapa tij.
Referenca: Sahihu i Buhariut 424
Fjalë të panjohura?
667. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Mahmud ibn Rebi Ensariu se Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i printe popullit të vet në namaz, ndonëse ishte i verbër. Andaj, të Dërguarit të Allahut ﷺ i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ndonjëherë nata është shumë e errët dhe ka vërshime, ndërsa unë jam i verbër, a mund të vish e të falesh në shtëpinë time, që më pas unë të mund ta shfrytëzoj për vendfalje?” Kur i Dërguari i Allahut ﷺ vajti, e pyeti:
- “Ku dëshiron të falem?”
Ai e drejtoi te një pjesë e shtëpisë, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ u fal.
Referenca: Sahihu i Buhariut 667
Fjalë të panjohura?
838. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Hiban ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Mahmud ibn Rabiu se Itbani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U falëm me Pejgamberin ﷺ dhe dhamë selam kur dha ai.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 838
Fjalë të panjohura?
425. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Mahmud ibn Rebi Ensariu se Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - një prej shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ që ka marrë pjesë në Luftën e Bedrit nga radhët e ensarëve, - vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë e kam shikimin të dobët, ndërkohë i prij popullit tim në namaz. Mirëpo, kur bie shi dhe uji vërshon luginën që gjendet mes meje dhe tyre, nuk mund të shkoj në xhaminë e tyre për t'ua falur namazin. Andaj, kam dëshirë, o i Dërguari i Allahut, të vish tek unë e të falesh në shtëpinë time, që ta shfrytëzoj si vendfalje.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Do të vij, inshallah.”
Itbani thotë: “Paradite, pasi dielli ishte ngritur lart, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi së bashku me Ebu Bekrin. I Dërguari i Allahut ﷺ kërkoi leje për të hyrë, e unë i dhashë leje. Me të hyrë në shtëpi, ai nuk u ul, por pyeti: “Në cilën pjesë të shtëpisë dëshiron të falem?” I bëra me shenjë drejt një pjese të shtëpisë. I Dërguari i Allahut ﷺ mori tekbirin për t'u falur, ndërsa ne u rreshtuam mbrapa tij. Pasi i fali dy rekate, dha selam. Pastaj e ndalëm (për të ngrënë), i ofruam një gjellë me mish (që i ngjan gullashit), të cilën e patëm përgatitur enkas për të.
Disa burra të lagjes erdhën dhe u tubuan në shtëpi. Njëri prej tyre tha: “Ku është Malik ibn Duhajshini, - ose ka thënë: “Ibn Duhshuni?” Disa i thanë: “Ai është hipokrit, nuk e do Allahun e as të Dërguarin e Tij. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos fol ashtu! A nuk e dini se ai thotë “la ilahe il-lallah”, duke dashur me këtë vetëm Fytyrën e Allahut?”
Personi në fjalë tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e dinë më së miri. Ne vazhdimisht e shohim duke ua mbajtur anën hipokritëve dhe duke u këshilluar me ta.”
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit atë që thotë “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën kërkon kënaqësinë e Allahut.”
Ibn Shihabi ka thënë: “Pastaj, e pyeta Husajn ibn Muhamed Ensariun, - i cili ishte nga fisi benu salim, njëherazi nga njerëzit më eminentë të tyre, - për hadithin e Mahmud ibn Rebiut, e ai ma miratoi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 425
Fjalë të panjohura?
840. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Mahmud ibn Rabiu tregon: “E kam dëgjuar Itban ibn Malik Ensariun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pjesëtar i fisit benu salim, duke thënë: “Ua falja namazin fisit tim benu salim. Shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë:
- Unë nuk shoh mirë, kurse rrjedhat e ujit më pengojnë prej xhamisë së fisit tim. Do të doja të vije e të faleshe në shtëpinë time, që ta bëj vendfalje.
- “Do të vij, inshallah (në dashtë Allahu)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas mesditës, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi së bashku me Ebu Bekrin dhe kërkoi leje për të hyrë, unë e pranova brenda dhe, ende pa u ulur, më tha:
- “Në cilën pjesë të shtëpisë dëshiron të falem?”
Ia bëra me shenjë drejt një pjese të shtëpisë, e ai filloi të falej dhe ne u rreshtuam mbrapa tij. Pasi dha selam, dhamë edhe ne.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 840
Fjalë të panjohura?