Sahihu i Buhariut — Hadithi 67

9. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Ndoshta ai të cilit i transmetohet, e kupton më mirë (atë që i është transmetuar) sesa ai që e ka dëgjuar drejtpërdrejt.”

67. Nga: Ebu Bekrete

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishri, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Ibn Sirini se Abdurrahman ibn Ebu Bekrete tregon se e ka dëgjuar të atin duke thënë: “Njëherë Pejgamberi ﷺ, teksa po qëndronte mbi devenë e tij, të cilën një njeri e mbante për freri, - ose ka thënë: për dizgjinësh, - pyeti: “Çfarë dite është sot?” Ne heshtëm, ngaqë menduam se do ta emërtonte me një emër tjetër.

Atëherë ai tha: “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit?

Thamë: “Po, ashtu është.”

Ai pyeti: “Po ky muaj, cili është?”

Përsëri heshtëm, sepse menduam se do ta emërtonte me një emër tjetër.

Ai tha: “A nuk është muaji dhul hixhe (muaji i haxhit)?”

Ne thamë: “Po, ashtu është.”

Ai tha: “Me të vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjtë ndërmjet jush, si shenjtëria e kësaj dite suajës, e këtij muaji tuajit, në këtë qytet tuajin! Ata që janë të pranishëm, le t'ua përcjellin këtë mesazh atyre që nuk janë, sepse ndoshta ata që nuk janë të pranishëm, e kuptojnë më mirë sesa të pranishmit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 67

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?