Hadithet e ngjashme me hadithin 67
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
67. Nga: Ebu Bekrete
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishri, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Ibn Sirini se Abdurrahman ibn Ebu Bekrete tregon se e ka dëgjuar të atin duke thënë: “Njëherë Pejgamberi ﷺ, teksa po qëndronte mbi devenë e tij, të cilën një njeri e mbante për freri, - ose ka thënë: për dizgjinësh, - pyeti: “Çfarë dite është sot?” Ne heshtëm, ngaqë menduam se do ta emërtonte me një emër tjetër.
Atëherë ai tha: “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit?”
Thamë: “Po, ashtu është.”
Ai pyeti: “Po ky muaj, cili është?”
Përsëri heshtëm, sepse menduam se do ta emërtonte me një emër tjetër.
Ai tha: “A nuk është muaji dhul hixhe (muaji i haxhit)?”
Ne thamë: “Po, ashtu është.”
Ai tha: “Me të vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjtë ndërmjet jush, si shenjtëria e kësaj dite suajës, e këtij muaji tuajit, në këtë qytet tuajin! Ata që janë të pranishëm, le t'ua përcjellin këtë mesazh atyre që nuk janë, sepse ndoshta ata që nuk janë të pranishëm, e kuptojnë më mirë sesa të pranishmit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 67
Fjalë të panjohura?
1741. Nga: Ebu Bekrete
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Kurra, e ky nga Muhamed ibn Sirini, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekretes, nga Ebu Bekrete dhe (më ka lajmëruar po ashtu) një burrë tjetër, i cili tek unë ka pozitë më të lartë se Abdurrahmani: Humejd ibn Abdurrahmani, se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ na ligjëroi ditën e Bajramit të Kurbanit, e në atë rast na tha:
- “Vallë, e dini çfarë dite është sot?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - thanë të pranishmit.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit?”
- Po, ashtu është.
- “Cili muaj është ky?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është muaji dhul hixhe?”
- Po, ashtu është.
- “Cili qytet është ky?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është qyteti i shenjtë?”
- Po, ashtu është.
- “Dijeni mirë se: gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjtë sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj, në këtë vend, derisa ta takoni Zotin tuaj. A e kumtova, vallë?”
- Po, - iu përgjigjën.
- “O Allah, ji Dëshmitar! Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, sepse atij që do t'i kumtohet, ndoshta e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë. Mos u ktheni në kufër pas meje (pas vdekjes sime) duke vrarë njëri-tjetrin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1741
Fjalë të panjohura?
105. Nga: Ebu Bekrete
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi, e ky nga Ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, gjaku dhe pasuria juaj - Muhamedi (ibn Sirini) thotë: “Më duket se ka thënë edhe: nderi juaj, - janë të shenjta (të ndaluara) ndërmjet jush, si shenjtëria e kësaj dite suajës, e këtij muaji tuajit. Vini re! Ju që jeni të pranishëm, duhet t'ua përcillni këto fjalë atyre që s'janë të pranishëm.”
Muhamedi (ibn Sirini) thoshte: “Të vërtetën e ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ.”
Në fund, Pejgamberi ﷺ shtoi: “A jua kam kumtuar (mesazhin prej Allahut)?” - këtë e përsëriti dy herë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 105
Fjalë të panjohura?