Sahihu i Buhariut — Hadithi 86

24. Nënkapitulli: Përgjigjja në fetva duke bërë me shenjë, me dorë qoftë, apo me kokë

86. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga Fatimja se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova tek Aishja, e cila ishte duke u falur dhe i thashë: “Çfarë kanë njerëzit?”

Ajo bëri me shenjë nga qielli. Shikova (jashtë) dhe pashë njerëzit (në xhami) teksa faleshin.

- Subhanallah! - tha ajo.

- Diçka e jashtëzakonshme? - e pyeta.

Ajo pohoi me kokë. Pas kësaj, fillova të falem, derisa ishte gati të më binte të fikët, andaj e laga fytyrën me ujë (për ta larguar plogështinë). (Pas namazit), Pejgamberi ﷺ u ngrit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun Fuqiplotë e pastaj tha: “Çdo gjë që s'kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë më parë, më është shfaqur tani, në këtë vend, madje edhe Xheneti dhe Zjarri (Xhehenemi). Më është shpallur se ju të gjithë do të sprovoheni në varret tuaja me sprova si sprova e mesihut Dexhall, ose diçka të ngjashme me të, - transmetuesi nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma. - Do t'i thuhet (secilit prej jush): “Çfarë di për këtë njeri (Pejgamberin ﷺ)?” Besimtari, - ose ka thënë: i binduri, - transmetuesi nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - do të thotë: “Ai është Muhamedi, i Dërguari i Allahut, na ka ardhur me argumente të qarta dhe udhëzim, e ne i jemi përgjigjur dhe e kemi pasuar. Ai është Muhamedi (tri herë).” I thuhet: “Fli i qetë, e dimë mirë se ke qenë i bindur në këtë.” Ndërkaq, hipokriti, - ose ka thënë: i lëkundshmi, - transmetuesi nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Nuk di, dëgjoja njerëzit teksa thoshin diçka, andaj unë e thosha të njëjtën gjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 86

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?