Sahihu i Buhariut — Hadithi 87
25. Nënkapitulli: Nxitja e Pejgamberit ﷺ ndaj delegatëve të Abdulkajsit për ta mësuar imanin dhe diturinë, që më pas t'ua mësonin popullit të tyre
Malik ibn Huvejrithi thotë: "Pejgamberi ﷺ na thoshte: “Kthehuni te familjet tuaja dhe mësoni ata.”
87. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe se Ebu Hamzai thotë: “Teksa po përcillja fjalët e Ibn Abasit atyre që ishin mbrapa meje, ai tha: “Delegacioni i Abdulkajsit erdhi te Pejgamberi ﷺ, e ai u tha: “Cilët jeni ju, o delegacion?” - ose ka thënë: “Cilët jeni ju, o njerëz?” - I thanë: “Jemi nga fisi rebia.” Pejgamberi ﷺ tha: “Mirë se erdhët, o njerëz!” Ose u tha: “O delegatë! Nuk do të jeni as të poshtëruar, as pishmanë (që keni ardhur tek unë).”
I thanë: “Ne vijmë prej një toke të largët, e mes nesh dhe jush gjendet vendbanimi i jobesimtarëve të mudarit, dhe nuk po mund të vijmë, përveçse në muajt e shenjtë. Andaj, na urdhëro diçka konkrete, që t'i njoftojmë edhe të tjerët që kemi lënë mbrapa, e me të ta fitojmë Xhenetin. Atëherë, Pejgamberi ﷺ ua urdhëroi katër gjëra dhe ua ndaloi katër të tjera, duke filluar me urdhërimin për ta besuar Allahun, Një dhe të Vetëm.”
Pastaj, u tha: “A e dini ç'është besimi në Allahun, Një dhe të Vetëm?” Ata iu përgjigjën: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai i tha: “Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe dhënia e një të pestës nga preja e luftës.” Pastaj, ua ndaloi: enën prej kungulli, shtambën, vorbën e lyer me katran.
Shuëbe ka thënë: “(Ebu Xhemra) ndoshta e ka përmendur edhe: “fuqinë e drunjtë” ose “koritën e lyer me katran.” Në fund, u tha: “Mësojini mirë këto gjëra dhe njoftoni edhe të tjerët që keni lënë mprapa jush.”