Sahihu i Buhariut — Hadithi 956

6. Nënkapitulli: Dalja në namazgja pa minber

956. Nga: Ebu Seid Hudriu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Zejdi, e ky nga Ijad ibn Abdullah ibn Ebu Serhu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në ditën e Bajramit të Fitrit dhe Kurbanit i Dërguari i Allahut ﷺ dilte në namazgjah dhe gjëja e parë që bënte ishte namazi. Pastaj, ngrihej në drejtim të njerëzve, të cilët qëndronin ulur nëpër safa dhe i këshillonte, i porosiste dhe i urdhëronte. Po të donte të ndante ndonjë grup për ta dërguar në ndonjë mision ushtarak, e ndante, e, po të donte t'i urdhëronte për diçka, i urdhëronte. Më pas, e përfundonte ligjërimin.

Kështu vazhdoi praktika e ligjërimit derisa një ditë, për Bajramin e Kurbanit ose Fitrit, dola me Mervanin, që atëkohë ishte prijës i Medinës dhe, kur arritëm në namazgjah, pashë një minber që e kishte ndërtuar Kethir ibn Salti. Mervani mori të ngjitej në minber para namazit, andaj e kapa për rrobe, por ai e tërhoqi rrobën dhe u ngjit dhe e mbajti hutben para namazit. I thashë:

- Betohem në Allahun se i paskeni ndryshuar gjërat.

- O Ebu Seid, gjërat nuk janë ashtu siç i mbajtke ti në mend, - më tha Mervani.

- Betohem në Allahun se ajo që di unë është më e mirë sesa ajo që nuk di, - i thashë.

- Njerëzit nuk prisnin të na dëgjonin pas namazit, andaj u desh që ta zhvendosnim (hutben) para namazit, - tha Mervani.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 956

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?