Sahihu i Buhariut — Hadithi 987

25. Nënkapitulli: Nëse dikujt i ikën namazi i Bajramit, i fal vetëm dy rekate nafile

Kështu veprojnë edhe gratë, ata që rrinë në shtëpi dhe ata, në vendet e të cilëve nuk falet Bajrami. Enes ibn Maliku e urdhëronte shërbëtorin e tyre, Ibn Ebu Utben, që t’i bashkonte familjarët te një pjesë e shtëpisë, për t'u falur siç falen nëpër qytete (për Bajram) dhe të bënin tekbire sikurse ata. Ikrime ka thënë: "Fshatrat e vogla[1] (për nga numri i banorëve, si dhe ata që janë në udhëtim), tubohen për Bajram dhe i falin dy rekate, ashtu siç vepron prijësi (në qytet)." Atai ka thënë: "Nëse dikujt i ikën namazi i Bajramit, i fal dy rekate (nafile)."

987. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë, në Mina, i vajti Ebu Bekri, e në atë rast hasi dy goca të vogla duke kënduar me def. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ ishte i shtrirë dhe i mbuluar me një rrobë. Kur (Ebu Bekri) i qortoi ato, Pejgamberi ﷺ e zbuloi fytyrën dhe i tha: “O Ebu Bekër! Lëri, se këto janë ditë feste.” Ato ditë ishin ditë Bajrami në Mina.

Referenca: Sahihu i Buhariut 987

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?