Hadithet e ngjashme me hadithin 1790

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

1643. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Urve tregon: “E kam pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A mund të ma tregosh komentimin e këtij ajeti: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut. Prandaj, ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse ecën mes tyre...” (Bekare, 158) sepse, betohem në Allahun (se në dritën e këtij teksti unë po kuptoj) se nuk ka mëkat për atë që nuk e kryen ecjen mes Safasë dhe Mervës.” Ajo tha: “Sa keq që fole, o biri motrës sime! Sikur të ishte siç e komentove ti, atëherë (formulimi i ajetit) do të kishte qenë: (s'ka kurrfarë gjynahu nëse nuk ecën fare mes tyre), mirëpo, ky ajet ka zbritur për ensarët, të cilët, para se ta pranonin Islamin, e bënin pelegrinazhin për idhullin Menat, të cilin e adhuronin te Musheleli (vend në afërsi të Kudejdit). Andaj, i shmangeshin ecjes mes Safasë dhe Mervës nga frika mos bënin mëkat po të ecnin mes tyre. Por, pasi e pranuan Islamin, e pyetën Pejgamberin ﷺ rreth kësaj: “O i Dërguari i Allahut, ne i shmangeshim ecjes mes Safasë dhe Mervës (nga frika prej mëkatimit)!” Atëherë Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva janë shenja të fesë së Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë ose bën umre, s'ka kurrfarë gjunahu nëse viziton ato (të dyja); ai që bën vepër të mirë, - me të vërtetë, Allahu është falënderues dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 158) Aishja në vijim tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ligjësoi (dhe e obligoi) ecjen mes tyre, kështu që nuk i takon askujt ta braktisë atë.”

(Zuhriu vazhdon:) Pas kësaj, i pata treguar Ebu Bekër ibn Abdurrahmanit, e në atë rast më pati thënë: “Nuk e kam dëgjuar asnjëherë këtë çështje. Kam dëgjuar disa dijetarë duke theksuar se, të gjithë njerëzit që e bënin pelegrinazhin për Menatin, përveç atyre që ka përmendur Aishja, e kryenin ecjen mes Safasë dhe Mervës. Por, kur Allahu i Lartësuar e përmendi në Kuran vetëm tavafin rreth Qabesë, pa i përmendur Safanë dhe Mervën, thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne e praktikonim ecjen mes Safasë dhe Mervës, ndërkohë Allahu i Lartësuar e zbriti shpalljen vetëm për tavafin rreth Qabesë, pa e përmendur Safanë. Vallë, a mos është gjynah të praktikohet ecja mes Safasë dhe Mervës?” Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut...” (Bekare, 158) Pra, tani po dëgjoj se ky ajet paska zbritur për të dy palët: për ata që gjatë injorancës shmangeshin nga ecja mes Safasë dhe Mervës nga frika mos bënin gjynah me këtë, si dhe për ata që e praktikonin ecjen, por që, pasi kishin hyrë në Islam, ishin në mëdyshje mos ishte gjynah ecja mes tyre, për shkak se Allahu kishte urdhëruar tavafin pa e përmendur Safanë, derisa e Allahu e përmendi (me Shpallje) edhe atë (ecjen) pas përmendjes së tavafit rreth Qabesë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1643

Fjalë të panjohura?

1790. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve se Urve tregon: “Kur isha i ri, e pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Çfarë thua për Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut. Prandaj, ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse ecën mes tyre...” (Bekare, 158) Andaj, nuk mendoj që ka ndonjë problem nëse ndokush nuk ecën mes tyre.”

Ajo tha: “Kurrsesi, sikur të ishte siç thua ti, do të ishte: “Nuk ka mëkat nëse nuk ecën mes tyre. Ky ajet ka zbritur për ensarët (para Islamit), të cilët e bënin nijet haxhin për Menatin. Menati ishte përballë me Kudejdin, kështu që nuk ecnin mes Safasë dhe Mervës. Kur erdhi Islami, e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, e në atë rast Allahu i Madhëruar e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut. Prandaj, ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse ecën mes tyre...” (Bekare, 158)

Sufjani dhe Ebu Muaviu, duke transmetuar nga Hishami, shtojnë: “Allahu nuk e plotëson haxhin e as umrën e një personi që nuk ecën mes Safasë dhe Mervës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1790

Fjalë të panjohura?