Hadithet e ngjashme me hadithin 1570
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
1651. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi. [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Habib Mualimi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij hynë në ihram me nijet të haxhit. Por, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait, asnjëri nuk kishte marrë kurban me vete. Edhe Aliu, i cili erdhi prej Jemenit, kishte marrë një kurban me vete, e në atë rast tha se kishte hyrë në ihram me të njëjtin nijet sikurse Pejgamberi ﷺ. Atëherë, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi shokët e vet për ta shndërruar në umre: ta kryejnë tavafin, t'i shkurtojnë flokët dhe të lirohen prej ihramëve, përveç atyre që me vete kishin marrë kurbane.” Ata thanë: “Të nisemi për në Mina, kur dikush prej nesh ka bërë marrëdhënie me bashkëshorten?!” Kur Pejgamberit ﷺ i arritën këto fjalë, tha: “Sikur të kthehej edhe njëherë ajo që kaloi, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramëve).”
Ndërkohë, Aishes iu paraqitën menstruacionet, andaj i kreu të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë. Pasi u pastrua, e kreu edhe tavafin. Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut! Ju po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh. Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin për të shkuar me të në Tenëim, kështu që ajo e kreu umrën pas haxhit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1651
Fjalë të panjohura?
1557. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Mekij ibn Ibrahimi na ka treguar nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka thënë Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Aliun të qëndronte në ihram.
Pastaj Xhabiri e përmendi fjalën e Surakës.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1557
Fjalë të panjohura?
1568. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka treguar se Ebu Shihabi tregon: “Ditën e pestë (të dhul hixhes) shkova në Mekë për haxh temetu. Disa banorë të Mekës më thanë: “Domethënë, haxhi yt do të konsiderohet sikurse haxhi i mekasit.” Kështu, shkova tek Atai për ta pyetur rreth kësaj.” Ai më tha: “Më ka treguar Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se e ka kryer haxhin me Pejgamberin ﷺ ditën kur kishte marrë me vete devetë (për kurban), ndërkohë disa njerëz kishin hyrë në ihram vetëm për haxh, andaj u tha: “Lirohuni prej ihramit pasi ta kryeni tavafin, ecjen mes Safasë e Mervës dhe pasi t'i shkurtoni flokët. Qëndroni ashtu, pa i veshur ihramët, deri ditën e Tervijes (të tetën), pastaj hyni në ihram për haxh. Ndërkaq, haxhin për të cilin jeni nisur (llojin ifrad) shndërrojeni në temetu.” Njerëzit i thanë: “E si ta shndërrojmë në temetu, kur fillimisht nijetin e kemi bërë vetëm për haxh (ifrad)?” Ai u tha: “Veproni siç ju thashë! Edhe unë, sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, do të veproja ashtu, mirëpo për shkak të ihramit nuk më lejohet kryerja e saj, pa u therur kurbani.” Rrjedhimisht, ata vepruan ashtu (si u urdhëruan).”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ebu Shihabi nuk ka transmetuar hadith nga Pejgamberi ﷺ, me përjashtim të këtij hadithi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1568
Fjalë të panjohura?
1785. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab ibn Abdulmexhidi, e ky nga Habib Mualimi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij hynë në ihram për haxh, ndërkohë, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait, askush nuk kishte kurban me vete. Kur Aliu vajti nga Jemeni, me vete kishte edhe kurbanet. Ai tha: “Kam hyrë në ihram siç ka hyrë i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pejgamberi ﷺ i lejoi sahabët që (ihramin e haxhit) ta kthejnë në umre: të bëjnë tavaf rreth (Qabesë), pastaj t'i shkurtojnë flokët e të lirohen prej ihramit, përveç atij që ka kurbanin me vete.” Ata thanë: “Të nisemi për në Mina, ndërkohë kemi bërë marrëdhënie me gratë?!” Kur Pejgamberi ﷺ i dëgjoi kështu, tha: “Sikur të mund të kthehesha mbrapa, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramëve).”
Ndërkohë, Aishes i erdhën menstruacionet, andaj i kreu të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë. Kur u pastrua dhe e bëri tavafin, tha: “O i Dërguari i Allahut, a po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh?” Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin për të shkuar me të në Tenëim. Pra, ajo bëri umre pas haxhit, në muajin dhul hixhe.”
Suraka ibn Malik ibn Xhushumi e takoi Pejgamberin ﷺ në Akabe, teksa i hidhte guralecët dhe i tha: “A vlen kjo vetëm për ju, o i Dërguari i Allahut (shndërrimi i haxhit kiran në temetu ose kryerja e umrës në muajt e haxhit)?”
- “Jo, por përgjithmonë”, - tha ai.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1785
Fjalë të panjohura?
1570. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky e ka dëgjuar Muxhahidin se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ shkuam në Mekë duke thënë: “Po të përgjigjemi Ty, o Allah, po të përgjigjemi me haxh!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi ta shndërronim në umre.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1570
Fjalë të panjohura?