Hadithet e ngjashme me hadithin 845

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

1386. Nga: Semure ibn Xhundubi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi Pejgamberi ﷺ e mbaronte namazin, kthehej me fytyrë nga ne dhe thoshte: “Cili prej jush ka parë ndonjë ëndërr mbrëmë?” Nëse ndokush kishte parë ndonjë, ia rrëfente, e ai e shpjegonte aq sa donte Allahu. Një ditë na pyeti: “A ka parë ndokush ndonjë ëndërr?” Ne thamë: “Jo.” Atëherë ai tha: “E po, unë mbrëmë (në ëndërr) pashë se dy njerëz erdhën e më morën për dore dhe më dërguan në Tokën e Shenjtë. Aty pashë një njeri të ulur dhe një tjetër në këmbë, i cili në dorë mbante një çengel hekuri, - disa transmetues nga Musa ibn Ismaili shtuan, - të cilin ia fuste në skajin e gojës (atij që ishte ulur dhe ia shqyente), derisa i arrinte pas qafës. Njëjtë vepronte edhe me skajin tjetër të gojës. Kur plaga i shërohej, kthehej dhe e përsëriste. Unë thashë: “Çka është kjo?” Ata thanë: “Vazhdo!”

Vazhduam më tutje, derisa arritëm te një njeri i shtrirë në shpinë, të cilit një tjetër, që rrinte në këmbë, i qëndronte te koka dhe e godiste me një gur ose shkëmb, me të cilin ia thyente kokën. Sa herë që e godiste, guri rrokullisej. Ai shkonte për ta marrë dhe, ndërsa kthehej, koka i shërohej e i kthehej në gjendjen e mëparshme, dhe sërish e godiste sikurse herën e parë. Unë pyeta: “Kush është ky?” Ata thanë: “Vazhdo!”

Vazhduam më tutje deri te një zgavër sikurse furra. Pjesa e sipërme e saj ishte e ngushtë, kurse pjesa e poshtme e gjerë, poshtë së cilës ndizej një zjarr. Në të kishte burra dhe gra lakuriq. Kur i afrohej (zjarri), ata ngriheshin, saqë pothuajse dilnin, e, kur fashitej, ata binin prapë në të. Unë thashë: “Cilët janë këta?” Ata thanë: “Vazhdo!”

Vazhduam më tutje, derisa vajtëm te një lumë gjaku. Aty, në mes të lumit, qëndronte një njeri në këmbë, - Jezidi dhe Vehb ibn Xherir ibn Hazimi kanë thënë: - kurse një tjetër në breg mbante një gur para vetes. Kur ai që ishte në lumë afrohej për të dalë, ky e qëllonte me gur në gojë dhe e kthente aty ku ishte. Kështu vepronte me të sa herë që ky tentonte të dilte. Unë thashë: “Kush është ky?” Ata thanë: “Vazhdo!”

Vazhduam më tutje, derisa arritëm te një kopsht i gjelbëruar, ku ndodhej një pemë e madhe, te trungu i së cilës qëndronte një plak me disa fëmijë. Afër pemës ndodhej edhe një njeri, që ndizte zjarr para vetes. Ata më ngritën në pemë dhe më futën në një shtëpi. Asnjëherë nuk kam parë shtëpi më të mirë se ajo. Brenda kishte burra të moshuar, djelmosha të rinj, gra dhe fëmijë. Pastaj më nxorën nga aty dhe më ngritën (më lart) në pemë e më futën në një shtëpi, e cila ishte më e bukur dhe më e mirë se e para. Edhe aty kishte të moshuar e të rinj. Thashë: “Sonte më keni shëtitur. A mund të më tregoni për tërë atë që pashë?” Ata thanë: “Po.”

Sa i përket atij që i shqyhej goja, është gënjeshtari. Ai thotë gënjeshtra, të cilat barten (dhe shpërndahen), anembanë. Kështu veprohet me të, deri në Ditën e Kiametit. Ai, të cilit i thyhej koka, është njeriu të cilit Allahu ia ka mundësuar mësimin e Kuranit, por e linte pas dore atë natën (e nuk e lexonte), ndërsa gjatë ditës nuk punonte me të. Kështu do të veprohet me të deri në Ditën e Kiametit. Ata që i pe në zgavër, janë zinaqarët. Ndërkaq, personi te lumi është ngrënësi i kamatës. Plaku te trungu i pemës është Ibrahimi ﷺ, e ata përreth tij janë fëmijët e njerëzve. Ai që e ndizte zjarrin, ishte Maliku, roja e Xhehenemit. Shtëpia e parë në të cilën hyre është shtëpia e besimtarëve, kurse kjo e dyta është shtëpia e dëshmorëve. Unë jam Xhibrili, ndërsa ky është Mikaili. Tani, ngrije kokën! Kur e ngrita kokën, pashë diçka në formë resh. Ata thanë: “Ajo është shtëpia jote.” Unë thashë: “Më lejoni të hyj në shtëpinë time.” Ata thanë: “Të ka mbetur edhe një pjesë e jetës pa e plotësuar. Kur ta plotësosh, vjen në shtëpinë tënde.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1386

Fjalë të panjohura?

1143. Nga: Semure ibn Xhundubi

Muemel ibn Hishami na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Aufi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ në lidhje me ëndrrën[1] ka thënë: “Ndërkaq, ai, të cilit koka i copëtohej me gur, është ai që e ka mësuar Kuranin, por pastaj e ka braktisur (mësimin e punën sipas tij) dhe i ikte namazi farz për shkak të gjumit (nga neglizhenca).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1143

Fjalë të panjohura?

845. Nga: Semure ibn Xhundubi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi Pejgamberi ﷺ e kryente namazin, kthehej me fytyrë nga ne.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 845

Fjalë të panjohura?