Hadithet e ngjashme me hadithin 1640
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
1639. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Uleje, e ky nga Ejubi se Nafiu tregon: “Teksa Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e (kishte sjellë) devenë në shtëpi (për t'i hipur), i vajti i biri i tij, Abdullah ibn Abdullahu, dhe i tha:
- Kam frikë se këtë vit do të ketë luftime mes njerëzve, andaj do të të ndalin prej haxhit... Sikur të qëndroje këtu!
- I Dërguari i Allahut ﷺ pati shkuar, por jobesimtarët kurejshë e patën penguar nga Qabeja. E, nëse edhe mua më pengon ndokush, do të veproj siç pati vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ. “Shëmbëlltyrën më të mirë e keni në të Dërguarin e Allahut...” (Ahzab, 21) Jini dëshmitarë se po e bashkoj umrën me haxhin, - tha Ibn Omeri.
Më pas, shkoi (në Mekë) dhe bëri një tavaf të vetëm për të dyja (haxhin dhe umrën).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1639
Fjalë të panjohura?
1807. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Muhamed ibn Esma na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri se Nafiu tregon se, në netët kur ushtria e luftonte Ibn Zubejrin (në Mekë), Ubejdullahu dhe Salimi, të bijtë e Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i thanë Abdullah ibn Omerit: “Nuk prish punë nëse këtë vit nuk e kryen haxhin. Kemi frikë se do të të ndalin prej Qabesë.” Ai tha: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ patëm shkuar (në Mekë), e jobesimtarët kurejshë na patën ndalur prej Qabesë. Pejgamberi ﷺ e theri kurbanin dhe e rroi kokën. Jini dëshmitarë se unë po nisem për umre. Do të nisem, me lejen e Allahut. Nëse më lejojnë, do të bëj tavaf, e, nëse më ndalin, do të veproj ashtu siç ka vepruar Pejgamberi ﷺ gjatë kohës që kam qenë me të.” Më pas, nga Dhul Hulejfja, hyri në ihram për umre, eci një copë herë dhe tha: “Çështja e tyre (haxhit dhe umrës) është e njëjtë. Jini dëshmitarë se po e bashkoj umrën me haxhin.” Kështu, nuk u lirua prej ihramit deri në ditën e therjes së kurbaneve (më dhjetë dhul hixhe), kur dhe e theri kurbanin.” Ai thoshte: “Nuk lirohet prej ihramit, derisa të bëjë një tavaf rreth Qabesë, atë ditë kur të hyjë në Mekë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1807
Fjalë të panjohura?
1812. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Bedër Shuxhaë ibn Velidi, e ky nga Omer ibn Muhamed Umeriu se Nafiu tregon se Abdullahu dhe Salimi i folën Abdullah ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), për të mos shkuar në haxh. Ai u tha: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ patëm shkuar për umre, ndërsa jobesimtarët kurejshë na patën penguar prej (vizitës së) Qabesë, kështu që i Dërguari i Allahut ﷺ e theri kurbanin dhe e rroi kokën.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1812
Fjalë të panjohura?
1693. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Abdullah ibn Omeri tregon se i ka thënë babait të vet:
- Mos shko (në haxh këtë vit), sepse kam frikë se do të të ndalin prej Qabesë.
- Atëherë do të veproj siç pati vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Shëmbëlltyrën më të mirë e keni në të Dërguarin e Allahut...” (Ahzab, 21) Andaj, jini dëshmitarë se po ia obligoj vetes umrën, - tha Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe hyri në ihram për umre.
Kështu, u nis për rrugë. Kur arriti në Bejda, hyri në ihram për haxh e umre dhe tha: “Çështja e haxhit dhe umrës është e njëjtë.” Pastaj bleu një kurban në Kudejd. Me të arritur (në Mekë), bëri një tavaf të përbashkët për të dy (haxhin e umrën) dhe nuk u lirua prej ihramëve, derisa u lirua edhe prej haxhit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1693
Fjalë të panjohura?
1708. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Damra, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe se Nafiu tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) donte të shkonte në haxh vitin kur havarixhët e bënë haxhin gjatë kohës së (sundimit të) Ibn Zubejrit (në Mekë). Dikush i tha: “Do të zhvillohet luftë mes njerëzve, andaj kemi frikë se do të të ndalin (prej haxhit).” Ai iu përgjigj: “Shëmbëlltyrën më të mirë e keni në të Dërguarin e Allahut...” (Ahzab, 21) Kështu, do të veproj siç ka vepruar Pejgamberi ﷺ. Jini dëshmitarë se po ia obligoj vetes umrën.”
U nis rrugës dhe, kur arriti në majë të Bejdasë, tha: “Çështja e umrës dhe haxhit është e njëjtë. Andaj, jini dëshmitarë se unë po e bashkoj haxhin me umrën. Kështu, mori me vete një kurban me qafore që e kishte blerë. Me të arritur (në Mekë), e bëri tavafin dhe ecjen në Safa, pastaj nuk shtoi asgjë më shumë e as u lirua prej ihramëve, deri ditën e Bajramit, kur i rroi flokët dhe theri kurbanin. Me kaq konsideroi se e ka kryer tavafin (këtu është për qëllim ecja mes Safasë dhe Mervës) e haxhit dhe umrës, me tavafin (ecjen mes Safasë dhe Mervës) e bërë në fillim.” Pastaj tha: “Kështu ka vepruar Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1708
Fjalë të panjohura?
1808. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri se Nafiu tregon se njëri prej djemve të Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha atij: “Sikur të mos shkoje këtë herë!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1808
Fjalë të panjohura?
1813. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku se Nafiu tregon se, kur Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u nis drejt Mekës për ta bërë umrën, në kohën e fitnes (në kohën e Ibn Zubejrit), tha: “Nëse pengohem prej (vizitës së) Qabesë, do të veproj ashtu siç kemi vepruar me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Kështu, hyri në ihram për umre, sepse edhe i Dërguari i Allahut ﷺ, vitin e Hudejbijes, pati hyrë në ihram për umre.” Pastaj, Abdullah ibn Omeri e shqyrtoi rastin e vet dhe tha: “Çështja e tyre (umrës dhe haxhit) është e njëjtë. Jini dëshmitarë se po e bashkoj haxhin me umrën. Kështu, bëri një tavaf për të dyja, duke konsideruar se kjo mjafton dhe e theri kurbanin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1813
Fjalë të panjohura?
1810. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “A nuk ju mjafton Suneti i të Dërguarit të Allahut ﷺ? Nëse ndokujt i pengohet haxhi (por arrin në Mekë), le të bëjë tavaf rreth Qabesë, të ecë mes Safasë e Mervës, e pastaj le të lirohet prej ihramëve. Ndërkaq, vitin e ardhshëm kryen haxhin, e ther kurbanin ose agjëron, nëse nuk mund të sigurojë kurbanin.”
Abdullahu ka thënë: “Na ka rrëfyer Mameri se Zuhriu ka thënë: “Më ka treguar Salimi nga Ibn Omeri, ngjashëm.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1810
Fjalë të panjohura?
1640. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu se Nafiu tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) donte të shkonte në haxh vitin kur Haxhaxhi erdhi ta sulmonte Ibn Zubejrin. Dikush i tha: “Do të zhvillohet luftë mes njerëzve, andaj kemi frikë se do të të ndalin (prej haxhit).” Ai iu përgjigj: “Shëmbëlltyrën më të mirë e keni në të Dërguarin e Allahut...” (Ahzab, 21) Kështu, do të veproj siç ka vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ. Jini dëshmitarë se po e bëj nijetin për umre.
U nis rrugës dhe, kur arriti në majë të Bejdasë, tha: “Çështja e haxhit dhe umrës është e njëjtë. Andaj, jini dëshmitarë se po e bashkoj haxhin me umrën. Kështu, mori një kurban me vete, që e kishte blerë në Kudejd dhe nuk shtoi asnjë vepër: as theri kurban, as u lirua prej ihramëve, as e rrojti kokën, as i shkurtoi flokët deri në ditën e Bajramit, kur theri kurbanin e i rroi flokët dhe konsideroi se e ka kryer tavafin (është për qëllim ecja mes Safasë dhe Mervës) e haxhit dhe umrës me tavafin (ecjen mes Safasë dhe Mervës) e bërë në fillim.” Pastaj tha: “Kështu ka vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1640
Fjalë të panjohura?