Hadithet e ngjashme me hadithin 730

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

729. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abde, e ky nga Jahja ibn Seid Ensariu, e ky nga Amre se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë natës i Dërguari i Allahut ﷺ falej në shtëpinë e tij dhe, ngaqë muri ishte i shkurtër, disa njerëz e panë dhe iu bashkëngjitën për t'u falur me të. Në mëngjes, filluan të flasin rreth kësaj dhe fjala u përhap te të tjerët. Natën tjetër, Pejgamberi ﷺ sërish u ngrit për t'u falur e, bashkë me të, edhe disa njerëz. Kështu vepruan dy-tri net, derisa një natë i Dërguari i Allahut ﷺ u ndal, nuk doli për t'u falur. Në mëngjes, kur njerëzit e përmendën këtë gjë, Pejgamberi ﷺ u tha: “U frikësova mos po ju obligohet namazi i natës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 729

Fjalë të panjohura?

924. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një natë vonë, i Dërguari i Allahut ﷺ doli e u fal në xhami. Disa njerëz shkuan dhe iu bashkëngjitën në namaz. Ditën tjetër njerëzit filluan të flisnin rreth kësaj, kështu që natën vijuese u tubuan më shumë sesa herën e parë. Sërish gjatë ditës biseduan rreth kësaj, andaj, natën e tretë, numri i njerëzve u shtua edhe më shumë. I Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe ata u falën mbrapa tij. Mirëpo, natën e katërt, xhamia u mbush aq shumë, saqë nuk i zinte njerëzit. Pejgamberi ﷺ nuk doli fare. E, kur hyri namazi i sabahut, atëherë doli. Pasi e kreu namazin, u kthye drejt njerëzve, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas; Nuk më ka shpëtuar pa e vënë re veprën tuaj. Mirëpo, frikësohem mos po ju obligohet e pastaj s'do të mund ta kryeni.”

Këtë transmetim e përforcon Junusi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 924

Fjalë të panjohura?

1129. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “Një natë i Dërguari i Allahut ﷺ u fal në xhami, e me të u falën edhe disa njerëz. Pastaj, natën vijuese, u fal sërish, e numri i njerëzve u shtua edhe më shumë. Natën e tretë ose të katërt u mblodhën sërish (një numër i madh i njerëzish), por i Dërguari i Allahut ﷺ nuk doli në mesin e tyre. Në mëngjes u tha: “Kam parë ç'keni vepruar (në netët e kaluara). Nuk më pengoi të dal në mesin tuaj asgjë përveç frikës mos po ju bëhet obligim.” Kjo pati ngjarë në Ramazan.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1129

Fjalë të panjohura?

730. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Fudejku, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Makburi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ kishte një hasër, të cilën gjatë ditës e përdorte për t'u ulur (në xhami), kurse gjatë natës e përdorte si perde (për t'u izoluar nga sytë e njerëzve). Disa njerëz e vërejtën (namazin e tij gjatë natës) dhe filluan t'i bashkëngjiteshin e të faleshin me të.

Referenca: Sahihu i Buhariut 730

Fjalë të panjohura?