18. Shkurtimi i namazit

1. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur rreth shkurtimit të namazit dhe koha e qëndrimit në udhëtim për t'u shkurtuar namazi

1080. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musa ibn Ismaili ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Asimi dhe Husajni, e këta nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ qëndroi (në udhëtim) nëntëmbëdhjetë ditë duke e shkurtuar namazin. Andaj, kur udhëtojmë (në vend të huaj dhe qëndrojmë atje deri në) nëntëmbëdhjetë ditë, e shkurtojmë namazin. E, nëse qëndrojmë më shumë, atëherë e plotësojmë (namazin).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1080

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1081. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Is'haku se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ u nisëm prej Medinës për në Mekë dhe (gjatë gjithë kohës) namazet i falte nga dy rekate, derisa u kthyem në Medinë.
(Jahja ibn Ebu Is'haku thotë:) E pyeta (Enesin):
- Sa keni qëndruar në Mekë?
- Kemi qëndruar dhjetë ditë, - tha ai.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1081

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Namazi në Mina

1082. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Mina e falëm namazin dy rekate së bashku me Pejgamberin ﷺ, si dhe me Ebu Bekrin, Omerin e Othmanin në fillim të udhëheqjes së tij, i cili pastaj e plotësonte (e falte katër rekate).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1082

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

1083. Nga: Harithe ibn Vehb Huzaiu

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka lajmëruar Ebu Is'haku se Harithe ibn Vehbiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na e fali namazin dy rekate në Mina, edhe pse ishte vend i sigurt (nuk kishte as luftë, as kanosje të sigurisë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1083

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

1084. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e ky nga Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi se Abdurrahman ibn Jezidi tregon: “Othman ibn Afani na e fali namazin katër rekate në Mina. Kur dikush ia kujtoi këtë Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai shprehu keqardhje1 për atë që kishin vepruar, e në atë rast tregoi: “Në Mina i kemi falur dy rekate me të Dërguarin e Allahut ﷺ, si dhe me Ebu Bekër Sidikun dhe Omer ibn Hatabin. Ah, sikur t'i kisha falur dy rekate, e të më pranoheshin në vend të atyre katër rekateve!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1084

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Sa ka qëndruar Pejgamberi ﷺ në haxh?

1085. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Alije Berrai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij erdhën (në Mekë) ditën e katërt (të muajit dhul hixhe) duke bërë telbijen për haxh. Pejgamberi ﷺ i urdhëroi ta ndërronin nijetin (e ta bënin) për umre, përveç atyre që e kishin me vete kurbanin.”

Këtë transmetim e ka fuqizuar Atai nga Xhabiri.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1085

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Në çfarë largësie shkurtohet namazi?

Pejgamberi ﷺ rrugëtimin në largësi të një dite e një nate e konsideronte udhëtim. Ibn Omeri dhe Ibn Abasi e shkurtonin namazin dhe e ndërpritnin agjërimin kur udhëtonin në largësi sa katër vendpushime të postierit (në të kaluarën), përkatësisht gjashtëmbëdhjetë ‘ferseh’ (përafërsisht nëntëdhjetë kilometra).

1086. Nga: Abdullah ibn Omeri

Is'hak ibn Ibrahim Handhaliu ka thënë: E kam vërtetuar se Ebu Usames i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Femra të mos udhëtojë në largësi prej tri ditësh, përveçse me mahrem.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1086

Fjalë të panjohura?

1087. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Femra të mos udhëtojë në largësi prej tri (ditësh), përveçse me mahrem.”

Transmetimin e Jahjait e ka fuqizuar Ahmedi nga Ibn Mubareku, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1087

Fjalë të panjohura?

1088. Nga: Ebu Hurejra

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Seid Makburi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Femrës, që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk i lejohet të udhëtojë pa mahrem në largësi prej një dite e një nate.”

Transmetimin e Ibn Ebu Dhiëbit e kanë fuqizuar Jahja ibn Ebi Kethiri, Suhejli dhe Maliku nga Makburi, e ky nga Ebu Hurejra.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1088

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Shkurtimi i namazit bëhet prej momentit të daljes nga vendbanimi

Në një udhëtim, Aliu e shkurtoi namazin edhe pse i shihte shtëpitë (e vendbanimit të vet). Kur u kthye, i thanë: "- Kjo është Kufeja (a ta falim namazin të plotë)?" - Jo, derisa të hyjmë në të, - u përgjigj ai.

1089. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Muhamed ibn Munkediri dhe Ibrahim ibn Mejsera se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Medinë e kam falur namazin e drekës me Pejgamberin ﷺ katër rekate, kurse në Dhul Hulejfe dy rekate.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1089

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

1090. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, namazi u obligua vetëm dy rekate. Pastaj, namazi i udhëtarit mbeti aq sa ka qenë (dy rekate), kurse namazi i vendasit u shtua (në katër rekate).”

Zuhriu thotë: “E kam pyetur Urven:

- Ç'është puna e Aishes, që e plotëson namazin (në udhëtim)?

- Justifikohet me veprimin e Othmanit (sa ishte në Mina), - tha Urve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1090

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Namazi i akshamit falet tri rekate edhe në udhëtim

1091. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam parë se i Dërguari i Allahut ﷺ, në rast se nxitonte gjatë udhëtimit, e vononte namazin e akshamit për ta bashkuar me atë të jacisë.”

Salimi tregon: “Edhe Abdullahu, sa herë që ishte për ngut gjatë udhëtimit, vepronte kështu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1091

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

1092. Nga: Abdullah ibn Omeri

Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Salimi tregon: “Në Muzdelife Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e bashkonte akshamin me jacinë. Njëherë, kur e thirrën te gruaja e tij Safije bin Ebu Ubejdi, ai e vonoi namazin (duke nxituar që ta zinte atë të gjallë). I thashë:

- Namazi.

- Vazhdo! - më tha.

- Namazi, - i thashë sërish.

- Vazhdo!

Eci diku dy-tri milje (përafërsisht katër kilometra), e në atë rast u ndal dhe u fal. Pastaj tha:

- Kështu e kam parë Pejgamberin ﷺ duke u falur kur ndonjë gjë e nguste gjatë udhëtimit.

Abdullahu thotë: “Kam parë se Pejgamberi ﷺ, kur nxitonte gjatë udhëtimit, urdhëronte të thirrej ikameti, e falte akshamin tri rekate dhe jepte selam. Pastaj, priste pak (aq sa të kryente disa punë të domosdoshme) dhe urdhëronte të thirrej ikameti, e falte jacinë dy rekate dhe jepte selam. Pas namazit të jacisë nuk falte namaz vullnetar, përveç kur e falte namazin e natës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1092

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Falja e namazit vullnetar hipur mbi kafshë që shalohet (në mjet udhëtimi), pavarësisht nga drejtohet ajo (mjeti në fjalë)

1093. Nga: Amir ibn Rebia

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Abdullah ibn Amiri se Amir ibn Rebia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam parë se Pejgamberi ﷺ falej mbi deve të shaluar (mjet udhëtimi), pavarësisht nga kthehej.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1093

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1094. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahmani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ falte namaz vullnetar hipur mbi deve të shaluar, edhe pse nuk ishte i drejtuar nga kibla.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1094

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

1095. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdulala ibn Hamadi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe se Nafiu tregon: “Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) falte namazin vullnetar dhe vitrin mbi deve të shaluar, dhe tregonte se kështu ka vepruar Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1095

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Të falurit me gjeste gjatë qëndrimit mbi kafshë (mjet udhëtimi)

1096. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musai na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi se Abdullah ibn Dinari tregon se, kur Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte në udhëtim, falej mbi deve (mjet udhëtimi), pavarësisht nga kthehej, si dhe përmendte se kështu vepronte Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1096

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Për namazet farze zbritet (nga mjeti i udhëtimit)

1097. Nga: Amir ibn Rebia

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdullah ibn Amir ibn Rebia se Amir ibn Rebia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke bërë me kokë (me gjeste) teksa falte namaz vullnetar, hipur mbi deve, pavarësisht nga kthehej. Por, në namazet farze nuk vepronte kështu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1097

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1098. Nga: Abdullah ibn Omeri

Lejthiu ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Salimi tregon se, kur Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte në udhëtim, namazin e natës e falte mbi kafshën e kalërimit e nuk bëhej merak nga i kthehej kafsha. Ai thoshte: “I Dërguari i Allahut ﷺ falte vitrin dhe namazet vullnetare mbi deve, pavarësisht nga kthehej, përveç namazeve farze, të cilat nuk i falte mbi kafshën e udhëtimit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1098

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

1099. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahman ibn Thevbani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ falej mbi deve i kthyer nga lindja. Kur donte t'i falte farzet, zbriste dhe drejtohej nga kibla.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1099

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Falja e namazeve nafile mbi gomar

1100. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ahmed ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Habani, e këtij i ka treguar Hemami se Enes ibn Sirini tregon: “Dolëm për ta pritur Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili vinte prej Shamit. Me të u takuam në Ajnu Temër. Ngaqë e pashë duke u falur mbi gomar i drejtuar anash, domethënë, në të majtë të kiblës, i thashë:

- Pashë se nuk u fale në drejtim të kiblës.

- Sikur të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke vepruar kështu, as unë nuk do të veproja ashtu, - tha Enesi.”

(Këtë hadith e transmeton edhe) Ibrahim ibn Tahmani nga Haxhaxhi, e ky nga Enes ibn Sirini, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1100

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Mosfalja e namazeve nafile pas namazeve farz në udhëtim

1101. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Omer ibn Muhamedi se Hafs ibn Asimi tregon: “Në një udhëtim Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregoi: “E kam shoqëruar Pejgamberin ﷺ gjatë udhëtimit. Asnjëherë nuk e kam parë duke falur namaze sunet, ndërkaq Allahu ﷻ thotë: “Ju keni shembull të mrekullueshëm në të Dërguarin e Allahut...” (Ahzab, 21)

Referenca: Sahihu i Buhariut 1101

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

1102. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Isa ibn Hafs ibn Asimi, e këtij i ka treguar babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ në udhëtim. Ai asnjëherë nuk shtonte më shumë se dy rekate (namaz farz). Njëjtë vepronte edhe Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me ta!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1102

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Falja e namazeve nafile në udhëtim, por jo ato para apo pas namazeve farz

Pejgamberi ﷺ e ka falur sunetin e sabahut sa ka qenë në udhëtim

1103. Nga: Umu Hani bint Ebu Talibi

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Amri se Ibn Ebu Lejla tregon: “Askush nuk na ka treguar se Pejgamberi ﷺ e ka falur namazin e duhasë, përveç Umu Hanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ajo ka theksuar se, Ditën e Çlirimit të Mekës Pejgamberi ﷺ është pastruar në shtëpinë e saj dhe i ka falur tetë rekate. Asnjëherë nuk e kam parë të jetë falur më shkurt, megjithëqë e plotësonte rukunë dhe sexhden.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1103

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1104. Nga: Amir ibn Rebia

Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Amiri se babai i tij, Amir ibn Rebia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka parë Pejgamberin ﷺ duke falur namazin e natës në udhëtim, mbi shpinën e kafshës së udhëtimit, (falej) ngado që kthehej ajo.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1104

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

1105. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ falte namaz vullnetar duke bërë me kokë (me gjeste), mbi mjetin e udhëtimit, pavarësisht nga kthehej.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1105

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Bashkimi i namazit të akshamit me jacinë në udhëtim

1106. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Zuhriun, e ky nga Salimi, se babai i tij, Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ nxitonte gjatë udhëtimit, e bashkonte akshamin me jacinë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1106

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

1107. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibrahim ibn Tahmani na ka thënë: Na ka treguar Husejn Mualimi, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në udhëtim, e bashkonte namazin e drekës me atë të ikindisë dhe namazin e akshamit me atë të jacisë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1107

Fjalë të panjohura?

1108. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Husejni tregon nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Hafs ibn Ubejdullah ibn Enesi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ, gjatë udhëtimit, e bashkonte namazin e akshamit me jacinë.

Transmetimin e Husejnit e ka fuqizuar Ali ibn Mubareku dhe Harbi nga Jahjai, e ky nga Hafsi, e ky nga Enesi tregon se Pejgamberi ﷺ e bashkonte...

Referenca: Sahihu i Buhariut 1108

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: A thirret ezani e ikameti nëse bashkohet namazi i akshamit me jacinë?

1109. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam parë se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ nxitonte gjatë udhëtimit, e vononte namazin e akshamit aq sa ta bashkonte me namazin e jacisë.”

Salimi tregon: “Kështu vepronte edhe Abdullahu në rast se nxitonte gjatë udhëtimit. E thërriste ikametin për namazin e akshamit, i falte tri rekate dhe jepte selam. Priste pak (aq sa të kryente disa punë të domosdoshme) dhe e thërriste ikametin për namazin e jacisë, i falte dy rekate dhe jepte selam. Mes këtyre dy namazeve nuk falte asnjë rekat namaz vullnetare, as pas jacisë, deri kur vinte koha për namaz nate.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1109

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

1110. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar Harbi, e këtij i ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hafs ibn Ubejdullah ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, gjatë udhëtimit, i Dërguari i Allahut ﷺ i bashkonte këto dy namaze.

E kishte fjalën për namazin e akshamit dhe të jacisë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1110

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Vonimi i namazit të drekës deri në kohën e ikindisë nëse nisja për udhëtim bëhet para mesditës

Këtë e ka transmetuar Ibn Abasi nga Pejgamberi ﷺ.

1111. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Hasan Vasitiu na ka thënë: Na ka treguar Mufadal ibn Fedale, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ nisej për në udhëtim para mesditës, e vononte namazin e drekës deri në kohë të ikindisë, e në atë rast i bashkonte (drekën me ikindinë). E, nëse nisej pas mesditës, fillimisht falte drekën, pastaj nisej.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1111

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Nëse nisja për udhëtim bëhet pas dreke, filimisht falet dreka pastaj niset

1112. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Mufadal ibn Fedale, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ nisej për në udhëtim para mesditës, e vononte namazin e drekës deri në kohën e ikindisë, pastaj zbriste (nga kafsha) dhe i bashkonte (drekën me ikindinë). E, nëse nisej pas mesditës, fillimisht falte drekën, pastaj nisej.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1112

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Falja e namazit ulur

1113. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ngaqë i Dërguari i Allahut ﷺ ishte i sëmurë, u fal ulur në shtëpinë e vet. Mbrapa tij u falën një grup njerëzish, të ngritur në këmbë. Ai ua bëri me shenjë, që të uleshin dhe, pasi e kreu (namazin), u tha: “Imami duhet pasuar: kur të bjerë në ruku, bini edhe ju, e, kur të ngrihet, ngrihuni edhe ju.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1113

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

1114. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u rrëzua nga kali, e në atë rast iu lëndua ana e djathtë.

Kur shkuam për ta vizituar, hyri koha e namazit, dhe ai u fal ulur, e edhe ne mbrapa tij (u falëm ulur). Pastaj tha: “Imami duhet pasuar: kur të bëjë tekbirin, bëni edhe ju; kur të bjerë në ruku, bini edhe ju; kur të ngrihet, ngrihuni edhe ju; kur të thotë: “Semiallahu limen hamideh (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi), thoni: “Rabena ve lekel hamd (Zoti ynë, Ty të takon falënderimi).

Referenca: Sahihu i Buhariut 1114

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

1115. Nga: Imran ibn Husajni

Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Revh ibn Ubade, e këtij i ka rrëfyer Husejni, e ky nga Abdullah ibn Burejde, e ky nga Imran ibn Husajni se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ; [t]: Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdusamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Husejni, e ky nga Ibn Burejde se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - i cili vuante nga hemorroidet, - tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth atij që falet ulur, e në atë rast më tha: “Nëse falet në këmbë, është më së miri. E, nëse falet ulur, e ka gjysmën e shpërblimit të atij që falet në këmbë. Nëse falet shtrirë, e ka gjysmën e shpërblimit të atij që falet ulur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1115

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Falja e namazit ulur me gjeste

1116. Nga: Imran ibn Husajni

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Husejn Mualimi, e ky nga Abdullah ibn Burejde se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - i cili vuante nga hemorroidet, - Ebu Mameri një herë tjetër e transmetoi këtë hadith nga Imrani me shprehjen: “E pyeta Pejgamberin ﷺ rreth atij që falet ulur, e në atë rast më tha: “Nëse falet në këmbë është më së miri. E, nëse falet ulur, e ka gjysmën e shpërblimit të atij që falet në këmbë. Nëse falet shtrirë, e ka gjysmën e shpërblimit të atij që falet ulur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1116

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Falet shtrirë, në rast se s'mund të falet ulur

Atai ka thënë: "Nëse nuk mund të kthehet drejt kibles, falet në çfarëdo drejtimi që është i kthyer."

1117. Nga: Imran ibn Husajni

Abdani na ka thënë: Na ka treguar Abdullahu, e ky nga Ibrahim ibn Tahmani, e këtij i ka treguar Husejn Muktibi, e ky nga Ibn Burejde se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vuaja nga hemorroidet, andaj e pyeta Pejgamberin ﷺ rreth namazit, e në atë rast më tha: “Falu në këmbë. Nëse nuk mundesh, falu ulur. Nëse nuk mundesh, falu shtrirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1117

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Nëse namazin e fillon ulur, por më pas i përmirësohet shëndeti ose i lehtësohet gjendja, e plotëson atë që i ka mbetur (në këmbë; dhe nuk e përsërit namazin)

Haseni ka thënë: "I sëmuri është i lirë t'i falë dy rekate në këmbë e dy të tjerat ulur."

1118. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nëna e besimtarëve, tregon se asnjëherë nuk e ka parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke falur ulur namazin e natës, përveç kur u moshua, lexonte Kuran ulur derisa, kur donte të binte në ruku, ngrihej në këmbë dhe i lexonte edhe tridhjetë ose dyzet ajete të tjera, pastaj binte në ruku.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1118

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

1119. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Jezidi dhe Ebu Nadri, i çrobëruari i Omer ibn Ubejdullahut, e këta nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nëna e besimtarëve, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ falej ulur dhe (gjatë namazit) lexonte duke qenë ulur. Para përfundimit të leximit, kur mbeteshin përafërsisht tridhjetë ose dyzet ajete, ngrihej në këmbë, i lexonte ato dhe binte në ruku e pastaj në sexhde. Njëjtë vepronte edhe në rekatin e dytë. Kur e përfundonte namazin, më shikonte nëse isha zgjuar, për të biseduar me mua. E, nëse isha në gjumë, shtrihej.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1119

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?