Hadithet e ngjashme me hadithin 664
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
716. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Enesi, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Gjatë kohës sa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në sëmundjen e vdekjes, tha:
- “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.”
- Nëse Ebu Bekri të zëvendëson ty, nuk arrin t'ua falë njerëzve namazin nga të qarët. Andaj, thuaji Omerit le t'ua falë, - i thashë.
- “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz!” - tha sërish Pejgamberi ﷺ, andaj iu drejtova Hafsës:
- Thuaji edhe ti që Ebu Bekri është i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson, nuk arrin t'ua falë njerëzve namazin nga të qarët, andaj thuaji Omerit le t'ua falë.
Hafsa ia tha këto fjalë, por i Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu:
- “Ç'është kjo?! Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz!” Hafsa iu drejtua Aishes:
- Kurrë s'ta pashë hajrin!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 716
Fjalë të panjohura?
664. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Ibrahimi se Esvedi tregon: “Ishim tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe përmendëm përkushtimin për faljen e rregullt të namazit dhe respektin ndaj tij, kurse ajo na tha: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u sëmur në fund të jetës së tij e, kur erdhi koha e namazit dhe u thirr ezani, tha: “Urdhërojeni Ebu Bekrin t'u prijë njerëzve në namaz.” Dikush i tha: “Ebu Bekri është shumë i ndjeshëm, andaj, kur të zëvendëson ty, nuk arrin t'ua falë njerëzve namazin (nga të qarët).” Ai e përsëriti kërkesën, e ato ia kthyen të njëjtën përgjigje. Herën e tretë, pasi iu përgjigjën njëjtë, u tha: “Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë njerëzve namazin!” Ebu Bekri nisi t'u printe njerëzve në namaz. Një ditë, Pejgamberi ﷺ u ndie më lehtë, andaj doli (në xhami), duke e mbajtur për krahësh dy burra, ndërsa këmbët i shkonin zvarrë nga sëmundja. Ebu Bekri (kur e pa) deshi të tërhiqej, por Pejgamberi ﷺ ia bëri me shenjë të qëndronte ku ishte dhe e afruan Pejgamberin ﷺ, derisa e ulën pranë Ebu Bekrit.
E pyetën Ameshin: “Pra, Pejgamberi ﷺ falej, e Ebu Bekri e përcillte namazin e tij, kurse njerëzit e përcillnin namazin e Ebu Bekrit, apo jo?” Ai iu përgjigj duke bërë po me kokë.
Ebu Muaviu, në transmetim prej Ameshit, shton: “Pejgamberi ﷺ u ul në të majtë të Ebu Bekrit, kurse Ebu Bekri falej në këmbë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 664
Fjalë të panjohura?
679. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Gjatë sëmundjes së vdekjes, i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
- “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.”
- Kur Ebu Bekri të zëvendëson ty, njerëzit s'arrijnë dot ta dëgjojnë (ta kuptojnë) leximin e tij, nga të qarët. Andaj, thuaji Omerit t'ua falë, - i thashë. Iu drejtova Hafsës, që edhe ajo t'ia thoshte të njëjtat fjalët.
Andaj, Hafsa ia tha të njëjtat fjalë, por i Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu:
- “Jeni bërë sikurse gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz!”
Hafsa iu drejtua Aishes: “Kurrë nuk ta pashë hajrin!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 679
Fjalë të panjohura?
198. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u rëndua dhe iu ashpërsua sëmundja, u kërkoi leje grave të tij që të mjekohej në shtëpinë time. Ato i dhanë leje. Një ditë, doli duke e mbajtur dy burra (për krahësh), ndërsa këmbët e tij i shkonin zvarrë. Qëndronte mes Abasit dhe një burri tjetër. Ubejdullahu thotë: “I tregova Abdullah ibn Abasit, e ai më tha: “A e di kush ka qenë burri tjetër?”
I thashë: “Jo.”
Ai tha: “Ka qenë Aliu.”
Aishja tregon se, pasi Pejgamberi ﷺ shkoi në shtëpinë e tij dhe iu shtua dhimbja, tha: “Më hidhni ujë nga shtatë enë të cilave nuk u është zgjidhur gryka, me shpresë që (të kthjellem e) t'i porosis njerëzit.”
Kështu, e ulën në një vaskë (bakri) të Hafsës, gruas së Pejgamberit ﷺ, dhe filluam t'i hedhim ujë prej enëve në fjalë, derisa (u këndell) dhe na bëri me shenjë se mbaruat punën tuaj, pastaj u doli njerëzve.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 198
Fjalë të panjohura?
687. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Musa ibn Ebu Aishe se Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe tregon: “Shkova tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e i thashë: “Më trego diçka rreth sëmundjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Ajo tha: “Po, patjetër. Kur Pejgamberit ﷺ iu rëndua sëmundja, pyeti:
- “A janë falur njerëzit?”
- Jo, po të presin ty, - i thamë.
Pastaj tha: “Ma mbushni vaskën me ujë.” Ia mbushëm dhe u la. Kur deshi të ngrihej në këmbë, i ra të fikët. Pasi u kthjell, pyeti:
- “A janë falur njerëzit?”
- Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë.
- “Ma mbushni vaskën me ujë”, - tha Pejgamberi ﷺ. Pasi u la, deshi të ngrihej, por sërish i ra të fikët. Kur u kthjell, pyeti sërish:
- “A janë falur njerëzit?”
- Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë.
- “Ma mbushni vaskën me ujë”, - tha ai.
Dhe, pasi u la, sërish tentoi të ngrihej, por i ra të fikët. Kur u kthjell, pyeti:
- “A janë falur njerëzit?”
- Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë.
Ndërkohë, njerëzit ende ishin në xhami duke e pritur Pejgamberin ﷺ për namazin e jacisë. Kështu, dërgoi dikë tek Ebu Bekri që t'i thoshte për t'ua falur njerëzve namazin. Kur i erdhi lajmi, Ebu Bekri, si person i ndjeshëm që ishte, i tha Omerit:
- O Omer, falua ti.
- Ti je më meritor për këtë punë, - i tha Omeri.
Gjatë atyre ditëve, Ebu Bekri u printe njerëzve në namaz. Një ditë, Pejgamberi ﷺ u ndie më lehtë dhe doli për namazin e drekës, me ndihmën e dy burrave, njëri prej të cilëve ishte Abasi, ndërkohë Ebu Bekri po ua falte njerëzve namazin. Kur e pa, Ebu Bekri deshi të tërhiqej mbrapa, por Pejgamberi ﷺ ia bëri me shenjë të qëndronte aty ku ishte. Përcjellësve u tha: “Më ulni pranë tij.” E ulën anash Ebu Bekrit. Ebu Bekri falej në këmbë duke e përcjellë namazin e Pejgamberit ﷺ (i cili falej) ulur, kurse njerëzit faleshin duke e përcjellë Ebu Bekrin.
Ubejdullahu thotë: “Shkova tek Abdullah ibn Abasi dhe i thashë:
- A të të tregoj çfarë më ka rrëfyer Aishja rreth sëmundjes së Pejgamberit ﷺ?
- Tregomë, - tha Ibn Abasi.
Ia tregova tërë hadithin e Aishes dhe nuk mohoi asgjë, përveçse tha:
- A ta ka përmendur emrin e burrit që ishte së bashku me Abasin (që i ndihmuan Pejgamberit ﷺ për të dalë në xhami)?
- Jo, - i thashë.
- Ai ishte Ali ibn Ebu Talibi, - tha ai.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 687
Fjalë të panjohura?
712. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Davudi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u sëmur në fund të jetës së tij, Bilali erdhi për ta thirrur për namaz. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “I thoni Ebu Bekrit t'ua falë njerëzve namazin.”
- Ebu Bekri është person i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson ty, nga të qarët, nuk arrin të lexojë në namaz, - i thashë unë.
- “I thoni Ebu Bekrit t'ua falë namazin!” - tha sërish Pejgamberi ﷺ, ndërsa unë ia ktheva të njëjtat fjalë. Pastaj, në herën e tretë ose të katërt, tha:
- “Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë namazin!”
Kështu, Ebu Bekri filloi t'ua falte namazin. Një ditë, Pejgamberi ﷺ doli (në xhami), duke e mbajtur për krahësh. Më kujtohet mirë se si këmbët i shkonin zvarrë. Kur Ebu Bekri e vërejti, filloi të tërhiqej mbrapa, por Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë që të vazhdojë, e ai u kthye, ndërsa Pejgamberi ﷺ u ul anash tij, kështu që Ebu Bekri ua përcillte njerëzve tekbiret (gjatë namazit).”
Transmetimin e Ameshit e përforcon Muhadiri.
Referenca: Sahihu i Buhariut 712
Fjalë të panjohura?
713. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ iu rëndua sëmundja, Bilali erdhi për ta thirrur për namaz. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “I thoni Ebu Bekrit t'ua falë njerëzve namazin.”
- O i Dërguari i Allahut! Ebu Bekri është njeri i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson ty, nuk arrin të lexojë në namaz (nga të qarët). Sikur t'i thoshe Omerit? - i thashë unë.
- “Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë njerëzve namazin!” - tha sërish Pejgamberi ﷺ.
I thashë Hafsës:
- Thuaji (Pejgamberit ﷺ): “Ebu Bekri është njeri i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson ty, nuk arrin të lexojë në namaz (nga të qarët). Sikur t'i thoshe Omerit?”
Pejgamberi ﷺ na tha:
- “Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë njerëzve namazin!”
Kur Ebu Bekri filloi t'ua falte namazin, i Dërguari i Allahut ﷺ u ndie më lehtë, andaj doli (në xhami), duke e mbajtur për krahësh, ndërsa këmbët i shkonin zvarrë. Me të dëgjuar frymëmarrjen e tij, Ebu Bekri u tërhoq mbrapa, por i Dërguari i Allahut ﷺ i bëri me shenjë (të qëndronte aty ku ishte) dhe u ul anash tij.
Kështu, Ebu Bekri falej në këmbë, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ ulur. Ebu Bekri e përcillte namazin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ndërsa njerëzit e përcillnin namazin e Ebu Bekrit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 713
Fjalë të panjohura?
683. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Zekerija ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Numejri, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë kohës sa ishte në sëmundjen e vdekjes, e urdhëroi Ebu Bekrin t'ua falë njerëzve namazin, andaj ai vazhdoi t'ua falte. Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ u ndie më lehtë, andaj doli (në xhami). Ebu Bekri ishte në namaz, duke u prirë njerëzve dhe, kur e pa të Dërguarin e Allahut ﷺ, u tërhoq mbrapa, por ai i bëri me shenjë të qëndrojë si ishte dhe u ul anash Ebu Bekrit. Ebu Bekri falej duke e përcjellë namazin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kurse njerëzit e përcillnin Ebu Bekrin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 683
Fjalë të panjohura?