Hadithet e ngjashme me hadithin 1152
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
1131. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtë e ka lajmëruar Amër ibn Dinari, e këtij i ka treguar Amër ibn Evsi se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “Namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit ﷺ dhe agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Davudit ﷺ. Ai flinte gjysmën e natës, pastaj falej një të tretën dhe flinte një të gjashtën, si dhe një ditë agjëronte e një ditë hante.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1131
Fjalë të panjohura?
1975. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “O Abdullah, jam informuar se ti agjëron ditën dhe falesh natën. A është e vërtetë?”
- Ashtu është, o i Dërguari i Allahut, - i thashë.
- “Mos vepro ashtu! Agjëro (ndonjëherë) e ha (ndonjëherë), falu (një pjesë të natës) e fli (pjesën tjetër), sepse ndaj trupit tënd ke hak, ndaj syrit tënd ke hak, ndaj gruas sate ke hak dhe ndaj mysafirit tënd ke hak. Të mjafton të agjërosh tri ditë për çdo muaj, sepse për çdo të mirë ke dhjetëfishin e saj, e kështu llogaritet agjërim i tërë vitit”, - më tha.
Abdullahu thoshte: “E shtrëngova, andaj m'u shtrëngua.”
- O i Dërguari i Allahut, po unë kam forcë! - i thashë.
- “E po, praktikoje agjërimin e të dërguarit të Allahut, Davudit ﷺ, e mos shto më shumë”, - tha ai.
- Si ka qenë agjërimi i të dërguarit të Allahut, Davudit ﷺ? - e pyeta.
- “Gjysma e kohës”, - u përgjigj ai.
Pasi Abdullahu u plak, thoshte: “Ah, sikur ta kisha pranuar lehtësimin e Pejgamberit ﷺ!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1975
Fjalë të panjohura?
1980. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Is'hak Vasitiu na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e ky nga Halidi, e ky nga Ebu Kilabe se Ebu Melihu tregon: “Bashkë me babanë tënd (Ebu Kilabes) hyra tek Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i cili na tregoi se të Dërguarit të Allahut ﷺ ia përmendën agjërimin e tij.” Abdullahu thotë: “Kur erdhi tek unë, i shtrova një jastëk prej lëkure, të mbushur me fije palme, por ai u ul në tokë, kështu që jastëku mbeti mes meje e tij dhe tha:
- “A nuk të mjaftojnë tri ditë për çdo muaj?”
- O i Dërguari i Allahut..., - i thashë.
- “Pesë?” - tha ai.
- O i Dërguari i Allahut...
- “Shtatë?”
- O i Dërguari i Allahut...
- “Nëntë?”
- O i Dërguari i Allahut...
- “Njëmbëdhjetë?”
Pastaj tha: “Nuk ka agjërim më shumë se agjërimi i Davudit ﷺ: agjëronte gjysmën e kohës. Një ditë agjëro, një ditë ha.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1980
Fjalë të panjohura?
1978. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Mugire, e ky e ka dëgjuar Muxhahidin se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më tha: “Agjëro nga tri ditë në çdo muaj.”
- Unë mundem më shumë se kaq, - i thashë.
Kështu vazhdova, derisa më tha: “Një ditë agjëro, një ditë ha.” Dhe më tha: “Lexoje Kuranin në çdo muaj.”
- Unë mundem më shumë se kaq, - i thashë.
Vazhdova kështu derisa më tha: “(Lexoje) brenda tri ditësh.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1978
Fjalë të panjohura?
1152. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Abas ibn Husejni na ka thënë: Na ka treguar Mubeshiri, e ky nga Evzaiu. [t]: Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “O Abdullah, mos u bëj si filani që falej natën, por më pas e la namazin e natës.”
Hishami ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Ishrini, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Omer ibn Hakem ibn Thevbani, e këtij i ka treguar Ebu Seleme, njëjtë. Transmetimin paraprak e ka fuqizuar Amër ibn Ebu Seleme nga Evzaiu.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1152
Fjalë të panjohura?
1976. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u informua se unë kam thënë: “Betohem në Allahun se sa të jem gjallë do të agjëroj ditën dhe do të falem natën.”
Kur më pyeti, i thashë: “Po, kam thënë, o i Dërguari i Allahut, kurban t'u bëfsha me babë e nënë!”
- “Nuk mund të vazhdosh kështu, por (herë) agjëro e (herë) ha dhe falu e fli. Agjëro tri ditë për çdo muaj, sepse e mira shpërblehet sa dhjetëfishi i saj, e kështu llogaritet sikurse agjërimi i tërë vitit”, - më tha.
- Unë mundem më shumë se kaq, - i thashë.
- “Një ditë agjëro e dy ditë ha.”
- Unë mundem më shumë se kaq.
- “Një ditë agjëro, një ditë ha. Ky është agjërimi i Davudit ﷺ dhe është agjërimi më i vlefshëm.”
- Unë mundem më shumë se kaq.
- “Nuk ka më mirë se kaq”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1976
Fjalë të panjohura?
1153. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Ebu Abasi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më ka thënë:
- “Sikur kam dëgjuar që u falke natën dhe agjëruake ditën?”
- Po, ashtu është, - i thashë.
- “Nëse vepron kështu, do të të dobësohen sytë e do të të dërrmohet trupi, ndërkohë ke obligime ndaj vetes dhe familjes sate. Andaj, agjëro e ha dhe falu e fli”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1153
Fjalë të panjohura?
1977. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Asimi, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar Atain, e këtij i ka treguar poeti, Ebu Abasi, se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u informua se unë agjëroja për çdo ditë dhe falesha natën. Kështu, dërgoi dikë, - ose ka thënë: e takova, - dhe më tha: “A mos jam informuar se ti agjëron në vazhdimësi dhe se falesh (tërë natën)? Agjëro e ha dhe falu e fli, sepse syri yt ka hisen e tij, si dhe vetja e familja jote kanë hisen e saj.”
- Unë jam më i fuqishëm se kaq, - i thashë.
- “Praktikoje agjërimin e Davudit ﷺ”, - më tha ai.
- Si ka qenë?
- “Një ditë agjëronte, një ditë hante dhe nuk ikte kur ballafaqohej me armikun.”
- Kush më siguron se mund t'i arrij këto (virtyte), o i Dërguari i Allahut? - i thashë.
Atai shton: “Nuk di pse e ka përmendur agjërimin gjatë gjithë kohës (për çdo ditë), ndërkohë Pejgamberi ﷺ ka thënë dy herë: “Nuk ka agjëruar ai që agjëron gjatë gjithë kohës.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1977
Fjalë të panjohura?
1979. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Habib ibn Ebu Thabiti, e ky e ka dëgjuar Ebu Abas Mekiun, i cili ishte poet, por nuk kishte dyshime në fjalët e tij, se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i tha: “Agjëron tërë kohën dhe falesh tërë natën?”
- Po, - i thashë.
- “Nëse vepron kështu, do të të thahen sytë dhe do të të lodhet shpirti. Ai që agjëron gjatë gjithë kohës, nuk agjëron. Agjërimi i tri ditëve (në muaj) është sikurse agjërimi i tërë vitit”, - tha ai.
- Unë mundem më shumë se kaq, - i thashë.
- “Agjëro sikurse Davudi ﷺ, i cili një ditë agjëronte, një ditë hante dhe nuk ikte kur e takonte armikun”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1979
Fjalë të panjohura?
1974. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Harun ibn Ismaili, e këtij i ka treguar Aliu, e këtij i ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Ebu Seleme se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë dhe më tha: “Ndaj mysafirit tënd ke hak dhe ndaj gruas sate ke hak.”
- Si ka qenë agjërimi i Davudit ﷺ? - e pyeta.
- “Gjysma e kohës (një ditë agjëronte, një ditë nuk agjëronte)”, - u përgjigj ai.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1974
Fjalë të panjohura?